Presidentja Vjosa Osmani njoftoi se do ta dekorojë kombëtaren e Kosovës me medalje presidenciale të meritave, pavarësisht rezultatit të ndeshjes së nesërme kundër Turqisë.
Deklarata u bë gjatë një ceremonie ku ajo ndau mbi 200 dekorata për personalitete të ndryshme që kanë kontribuar për vendin. Osmani theksoi se "Dardanët" kanë hyrë në histori me paraqitjet e tyre dhe po i japin shpresë qytetarëve.
"Pavarësisht rezultatit të ndeshjes së nesërme Kosovë – Turqi, ekipi i Kombëtares së Kosovës tashmë e ka bërë historinë. Kam nderin që t’ju njoftoj se pikërisht për këtë kontribut të pamatshëm, për krenarinë që i kanë dhënë vendit në çdo moment, për shpresën që po i japin këtij populli në hapat përpara, medalja presidenciale e meritave menjëherë pas fitores së nesërme, por pavarësisht edhe rezultatit, do t’i ndahet ekipit të Kombëtares së Kosovës", u shpreh ajo.
Kombëtarja triumfoi në Bratisllavë të enjten e kaluar kundër Sllovakisë me rezultat 4-3, në gjysmëfinalen e kualifikimeve për Kampionatin Botëror. Nesër mbrëma, në stadiumin Fadil Vokrri, Kosova sfidon Turqinë në finalen e play-off-it. Botërori mbahet këtë verë në SHBA, Meksikë dhe Kanadë.