Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) i ka kërkuar zyrtarisht kryetares së Kuvendit, shefave të grupeve parlamentare dhe deputetëve të Republikës së Kosovës përfshirjen e një amendamenti të veçantë në Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kërkesa fokusohet në ndalimin ligjor të rihapjes së procedurave për të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore që tashmë kanë marrë një vendim përfundimtar nga gjykatat kompetente vendore ose ndërkombëtare, si Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), UNMIK-u apo EULEX-i.
Sipas OVL-UÇK, kjo garanci është jetike për ruajtjen e sigurisë juridike dhe respektimin e parimit ndërkombëtar "ne bis in idem", i cili sanksionon se askush nuk mund të përballet me procese penale të përsëritura për të njëjtat fakte për të cilat ekziston një vendim përfundimtar. Organizata shpreh shqetësimin se ndryshimi i cilësimit juridik ose i formulimit të akuzave po përdoret si bazë për të "ricikluar" fakte që janë shqyrtuar më parë, situatë të cilën ata e cilësojnë si problematike në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët janë shpallur fajtorë në shkallën e parë për raste të gjykuara më herët.
Në kërkesën e saj, OVL-UÇK thekson se ky amendament është i nevojshëm për forcimin e sundimit të ligjit dhe besimit në institucionet e drejtësisë. Organizata u ka bërë thirrje ligjvënësve që ta trajtojnë këtë çështje me seriozitet dhe urgjencë, duke garantuar barazinë para ligjit dhe të drejtën për një proces të drejtë për të gjithë të akuzuarit.