Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar në lidhje me një raport të organizatës britanike Bar Human Rights Committee of England and Wales, i cili ngre shqetësime për shkelje të të drejtave themelore në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Sipas OVL-UÇK-së, ky raport përbën konfirmim të alarmave të ngritura më parë nga organizata për proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ajo vlerëson zhvillimin si moment të rëndësishëm për ndërgjegjësimin ndërkombëtar mbi funksionimin e gjykatës dhe trajtimin e çlirimtarëve.
OVL-UÇK rikujton përpjekjet e pandërprera ndër vite, përmes:
- qindra letrave drejtuar institucioneve ndërkombëtare;
- takimeve me ambasadorë të shteteve mike dhe personalitete të rëndësishme ndërkombëtare;
- angazhimeve në Parlamentin Evropian, Parlamentin e Zvicrës dhe Vatikan;
- protestave kombëtare dhe në qendra evropiane;
- peticionit qytetar.
Qëllimi i këtyre veprimtarive ka qenë ngritja e zërit kundër padrejtësive dhe shkeljeve në gjykimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Organizata thekson se shqetësimet e saj po gjejnë jehonë ndërkombëtare dhe bën thirrje për hapa konkretë nga institucionet për respektimin e standardeve të drejtësisë.
OVL-UÇK deklaron se do të vazhdojë angazhimin në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare dhe dinjitetit të ish-luftëtarëve.