Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me gjetjet e raportit të organizatës Bar Human Rights Committee of England & Wales, i cili trajton proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gjykatën Speciale në Hagë.
Raporti ngre shqetësime serioze për respektimin e standardeve të gjykimit të drejtë. Ai vë në pah devijimin e mandatit të Gjykatës Speciale nga qëllimi fillestar, shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut, paraburgim të gjatë dhe praktikisht të pakontestueshëm, kufizime në lirim të përkohshëm, mungesë mundësish reale për lirim të parakohshëm, kufizime në komunikimet familjare dhe profesionale me ekipet e mbrojtjes, si dhe dyshime për barazinë e palëve në proces. Po ashtu, theksohen shqetësime për transparencën e provave dhe burimin e tyre, çka mund të ndikojë në besueshmërinë e vendimeve.
Sipas PDK-së, këto gjetje paraqesin sfida serioze për integritetin e procesit gjyqësor dhe nuk duhet të injorohen nga institucionet vendore e ndërkombëtare. Partia rithekson se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare, prandaj çdo proces ndaj pjesëtarëve të saj duhet të jetë i pakontestueshëm në standard, i pastër në procedurë dhe i drejtë në çdo aspekt.
PDK kërkon që rekomandimet e raportit të merren seriozisht dhe urgjentisht, duke përfshirë krijimin e një mekanizmi të pavarur të monitorimit për të garantuar respektimin e standardeve ndërkombëtare dhe ruajtjen e legjitimitetit të procesit.
Partia u bën thirrje shteteve financuese të Dhomave të Specializuara, ekspertëve të drejtësisë, organizatave të shoqërisë civile dhe njohësve të të drejtave të njeriut, brenda dhe jashtë vendit, që të mos heshtin. Heshtja, sipas PDK-së, nënkupton normalizim të standardeve të ulëta dhe rrezik për precedent të rrezikshëm në drejtësinë ndërkombëtare.