Palestinezët votuan të shtunën, më 25 prill 2026, në zgjedhjet lokale për kryetarë komunash dhe këshilla bashkiake në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në qytetin Deir al-Balah të Gazës. Këto janë zgjedhjet e para që përfshijnë një zonë të Gazës në dy dekada, që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2006.
Autoriteti Palestinez, me seli në Ramallah të Bregut Perëndimor, përfshiu simbolikisht Deir al-Balah-un për të forcuar pretendimin e tij për autoritet mbi Gazën, nga e cila u dëbua nga Hamasi në vitin 2007. Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, rreth 1.5 milionë persona janë të regjistruar në Bregun Perëndimor, ndërsa 70 000 në Deir al-Balah. Qendrat e votimit hapen nga ora 7:00 deri në 19:00 në Bregun Perëndimor, por mbyllen më herët në Gaza për mungesë energjie.
Banorët e Gazës, që përballen me vështirësi për nevojat bazë në enklavën e shkatërruar nga lufta, e mirëpritën mundësinë. "Kam dëgjuar për zgjedhjet që kur kam lindur", tha Adham Al-Bardini. "Si palestinez dhe bir i Rripit të Gazës, ndihem krenar që pas kësaj lufte procesi demokratik po rikthehet", u shpreh Mamdouh al-Bhaisi, 52 vjeç. Megjithatë, ka skepticizëm: një banor i Tulkarmit votoi "pa iluzione", duke theksuar se kandidatët nuk ndryshojnë realitetin nën okupimin izraelit. Në qytete si Nablus e Ramallah, garon vetëm një listë.
Shumica e listave lidhen me Fatahun, partinë e presidentit Mahmoud Abbas, ose janë të pavarura. Hamasi, që kontrollon pjesë të Gazës, nuk paraqiti kandidatë zyrtarë, por dyshohet lidhje me disa lista në Deir al-Balah. Disa fraksione palestineze bojkotuan për kushtin e mbështetjes së marrëveshjeve të Autoritetit Palestinez, përfshirë njohjen e Izraelit.
Konteksti dhe pritshmëritë
Zgjedhjet vijnë pas armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA në tetor, ndërsa bisedimet për mbikëqyrje ndërkombëtare të Gazës kanë pak përparim. Qeveritë europiane e arabe mbështesin rikthimin e Autoritetit Palestinez në Gaza dhe krijimin e një shteti që përfshin Gazën, Jerusalemin Lindor e Bregun Perëndimor. Diplomatët perëndimorë i shohin si hap drejt zgjedhjeve kombëtare dhe reformave për transparencë. Organizata e Kombeve të Bashkuara i përshëndeti si mundësi për ushtrimin e të drejtave demokratike. Abbas është në pushtë që nga viti 2005, pa zgjedhje presidenciale apo parlamentare. Rezultatet priten të dielën, 26 prill.