Mungesa e konsensusit mes partive politike ka kthyer procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës në një provë për funksionimin institucional. Partitë po llogarisin votat, ndërsa kanë dalë në pah paqartësi rreth obligimit të deputetëve për të marrë pjesë në seancë dhe për të votuar, si dhe pasojat e moszgjedhjes së presidentit nga Kuvendi.
Sipas nenit 86 të Kushtetutës, secili kandidat duhet të sigurojë 30 nënshkrime nga deputetët për t’u nominuar, ndërsa deputetët mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat. Deri tani, asnjë emër nuk është zyrtarizuar si kandidat. Rregullorja e Kuvendit parasheh që seanca thirret pas dorëzimit të nominimeve, të cilat shqyrtohen nga Komisioni për Legjislacion për plotësimin e kushteve.
Kryeministri Albin Kurti, pas një takimi konsultativ me Lumir Abdixhiku të LDK-së, deklaroi se Kushtetuta i obligon deputetët të votojnë. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), iu referua aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e zgjedhjes së Behgjet Pacollit president në vitin 2011. Në pikën 83 të këtij aktgjykimi thuhet se “të gjithë 120 deputetët e Kuvendit duhet të ndjehen të obliguar” të jenë të pranishëm dhe të votojnë.
Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, tha se partia e tij merr pjesë në zgjedhjen e presidentit vetëm nëse kandidati i propozuar prej saj zgjidhet president. Këto pozicione pasqyrojnë mungesën e një kandidati konsensual, ndërsa partitë refuzojnë të mbështesin kandidatë partiakë.