Në Shqipëri, paraja fizike vazhdon të përdoret gjerësisht, ndonëse blerjet me telefon ose kartë janë bërë normë në Europë. Sipas Bankës Botërore, vetëm 40–45% e shqiptarëve me llogari bankare kryejnë pagesa digjitale. Mbi 75% e transaksioneve digjitale kryhen nga grupmosha 18–35 vjeç, ndërsa te personat mbi 55 vjeç përdorimi i kartave ose i shërbimeve bankare në celular mbetet nën 15%.
Ekspertja e financave Besarta Tafaj i lidh këto dallime me zakonet e konsumatorëve, mungesën e edukimit financiar dhe qasjen e kufizuar në teknologji në zonat rurale. Ajo tha se te tregtarët e vegjël ekziston nxitja për të mos deklaruar të gjithë xhiron, për t’iu shmangur tatimeve, çka bën që terminalet POS shpesh të mungojnë.
Në gusht, paraja fizike jashtë bankave arriti nivelin rekord prej 534 miliardë lekësh, me rritje vjetore prej 15,2%. Tafaj tha se mbajtja e parave në dorë shpesh konsiderohet pa kosto, por se ruajtja dhe përdorimi i tyre sjellin shpenzime për sistemin, përfshirë transportin e blinduar, mirëmbajtjen e kartëmonedhave dhe sigurimin e tyre.
Ajo bëri thirrje për një fushatë informuese mbi shpejtësinë dhe sigurinë e pagesave digjitale, si dhe ndikimin e tyre në uljen e kostos së të bërit biznes.
Banka e Shqipërisë synon që përdorimi i pagesave pa para fizike të arrijë në 60% deri në vitin 2030. Sipas raportimit, krahas reformave institucionale dhe SEPA-s, sfidë mbetet ndryshimi i zakonit të përdorimit të parasë fizike.