Nga 1 prilli 2026 është paralajmëruar mundësia e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në Kosovë deri në rreth 20%.
Deri tani, Zyra e Rregullatorit për Energji dhe Ujë (ZRRE) nuk ka përfunduar shqyrtimin e aplikimeve të paraqitura nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS). Këto kompani kanë kërkuar rritje prej mbi 20%.
Nëse miratohet një rritje e tillë, ekspertët vlerësojnë se do të ketë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe ekonominë. Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ekspertja e energjisë, Janina Ymeri, në një intervistë për Ekonomia Online, theksoi se një vendim i tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në faturat e energjisë dhe në çmimet e produkteve të tjera.
"Nëse vjen si vendim rritja 20%, do të ketë pasoja direkte, fillimisht në energji, por edhe në produkte të tjera që përdorin domosdoshmërisht energjinë për prodhim ose shërbim", deklaroi ajo.
Ymeri përmendi gjithashtu rritjen e pritshme të importit të energjisë për vitin 2026, për shkak të remontit kapital prej 9 muajsh në bllokun B1. Sipas saj, kjo do të rrisë nevojën për importe, pavarësisht balancës energjetike të papublikuar përfundimisht.
Ajo e cilësoi një rritje të çmimit si dështim dhe paaftësi menaxheriale në sektorin e energjisë elektrike. Organizimi më i mirë i importeve, sipas saj, do të mund të shmangte nevojën për rritje tarifash.