Për ditën e sotme, në Maqedoninë e Veriut mbizotëron mot i nxehtë dhe me diell, shoqëruar me vranësira të lehta deri në mesatare. Vlerat termike minimale lëvizin nga 14 deri në 22 gradë, ndërsa ato maksimale arrijnë deri në 38 gradë Celsius. Në nivel lokal parashikohet paqëndrueshmëri atmosferike, me reshje të rrëmbyeshme shiu dhe bubullima. Në kryeqytetin e Shkupit, temperatura minimale do të jetë 19 gradë, ndërsa ajo maksimale parashikohet të arrijë në 38 gradë Celsius. Sipas DPHM-së, moti i nxehtë do të vijojë gjatë javës, me mundësi për shtim të paqëndrueshmërisë të mërkurën dhe të enjten.
Nga ana tjetër, për datën 1 shtator, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) njofton se në Kosovë moti do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara. Në zona të caktuara, vranësirat mund të shoqërohen me reshje shiu. Temperaturat minimale do të shënojnë vlera nga 11 deri në 17 gradë, ndërsa ato maksimale do të sillen në intervalin 28 deri në 33 gradë Celsius. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1 deri në 7 metra për sekondë.