Partia Socialiste shënon sot 35-vjetorin e themelimit përmes një organizimi të posaçëm në Tiranë. Kryeministri dhe kryetari i kësaj force politike, Edi Rama, ka ndarë një mesazh urimi në rrjetet sociale për të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e partisë.
Në mesazhin e tij, Rama rikonfirmoi objektivin e partisë, duke theksuar misionin për integrimin evropian të vendit. "Me bindjen e patundur në misionin tonë historik për të ngjitur Shqipërinë 2030 në majën e Europës së Bashkuar, ju dëshiroj të gjithëve një ditë të mbarë", shkruan kryetari i Partisë Socialiste.
Festimet për këtë përvjetor do të kulmojnë me aktivitetin që do të mbahet në Sheshin Italia, i cili është planifikuar të fillojë në orën 17:30.
Përditësime
Në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama mbajti fjalimin kryesor në Sheshin Italia. Ai shpalli dy objektiva madhorë: zhvillimin e projekteve turistike në Zvërnec e Sazan dhe zgjerimin e zonave të mbrojtura në 25% të territorit kombëtar.
Gjatë ceremonisë së 35-vjetorit të Partisë Socialiste në Tiranë, Kryeministri Edi Rama adresoi debatet publike lidhur me projektet e zhvillimit në Zvërnec dhe Sazan. Ai mbrojti këto investime, duke theksuar përfitimet e tyre afatgjata për ekonominë shqiptare. Në kuadër të këtij aktiviteti, Rama ndau gjithashtu një album fotografik nga ceremonia festive.