Partia Socialiste ka paraqitur në Kuvend një projektligj për disa ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit. Deputeti Bujar Rexha është propozuesi i ndryshimeve, të cilat synojnë thjeshtimin e procedurave të emërimit për pozicionet drejtuese.
Drafti parashikon heqjen e konkurseve për drejtuesit e departamenteve, drejtorët e drejtorive vendore dhe shefat e komisariateve. Sipas relacionit shpjegues, procedurat aktuale janë bërë burokratike dhe kanë ulur efikasitetin e strukturave policore.
Një ndryshim tjetër i rëndësishëm lejon që ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit të rikthehet në sistem pas largimit nga detyra. Ai do të mbajë gradën Drejtues i Parë dhe do të mund të shërbejë në role këshillore ose pedagogjike.
Projektligji propozon gjithashtu uljen e afatit për ngritje në gradë nga pesë në katër vjet për efektivët që tregojnë rezultate të larta. Drejtorit të Përgjithshëm i jepen kompetenca të shtuara për emërimin e drejtpërdrejtë të disa drejtuesve dhe për dhënien e gradave për merita të veçanta.
Përditësime
Konkursi për postet e larta në Policinë e Shtetit mbetet vetëm për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili u përdor për emërimin e Ilir Proda dhe Skënder Hita. Afati për kalimin nga komisar në kryekomisar dhe nga kryekomisar në drejtues u shkurtua nga 5 në 4 vjet. Drejtori i Përgjithshëm fiton kompetencën për dhënie gradë të menjëhershme në raste heroike ose rrezikshmërie të lartë.