Pastori amerikan Mark Burns, figurë e njohur republikane dhe aleat i presidentit të SHBA-së Donald Trump, ka publikuar një mesazh falënderimi për Policinë e Kosovës. Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, ai shprehu mirënjohjen për punën e institucioneve të sigurisë, duke vënë theksin te profesionalizmi, mikpritja dhe përkushtimi i treguar nga pjesëtarët e policisë.
Në mesazhin e tij publik, Burns vlerësoi përpjekjet e përditshme të zyrtarëve policorë për mbrojtjen e komuniteteve dhe garantimin e rendit. "Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Policinë e Kosovës për profesionalizmin, mikpritjen dhe përkushtimin e saj ndaj sigurisë publike gjatë kohës sonë në Kosovë", thuhet në mesazh.
Sipas pastorit, angazhimi i policisë është thelbësor për shërbimin ndaj qytetarëve. Ai e mbylli mesazhin e tij me urime për sigurinë dhe mirëqenien e zyrtarëve dhe familjeve të tyre, duke e vlerësuar shërbimin e tyre si një akt të kryer me guxim dhe nder: "Zoti i bekoftë dhe i mbroftë të gjithë zyrtarët policorë dhe familjet e tyre, teksa shërbejnë me guxim dhe nder".