Ish-kapiteni i kombëtares së Francës, Patrick Vieira, ka dhënë një vlerësim të lartë për aftësitë e futbollistit Michael Olise. Në një intervistë për gazetën L'Equipe, legjenda franceze u shpreh se ylli i Bayern Munich zotëron talentin dhe krijimtarinë për të arritur nivelet më të larta në futbollin botëror.
Vieira vuri theksin te ngjashmëritë teknike të lojtarit me figura të mëdha si Zinedine Zidane dhe Michel Platini. "Ai ka kreativitetin, finesën dhe efikasitetin që e bëjnë të veçantë. Koha do të tregojë nëse do të arrijë atë nivel, por për potencialin jam i bindur", deklaroi ai.
Duke analizuar progresin e Olise gjatë këtij sezoni me Bayern Munich, Vieira u shpreh se performancat e tij janë të jashtëzakonshme. Ai shtoi se përvoja e fituar në nivel klubesh dhe në radhët e kombëtares do të ndihmojë në pjekurinë e futbollistit.
Sipas Vieira, Olise është një kandidat i sigurt për të fituar në të ardhmen çmimin prestigjioz Topi i Artë. Ai theksoi se pjesëmarrja në turne si Kupa e Botës do t'i dhurojë futbollistit vetëbesimin e nevojshëm për të shpërthyer plotësisht në skenën ndërkombëtare.