Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar seancë plenare për ditën e nesërme në orën 10:00, me rend dite votimin në procedurë të përshpejtuar të projektvendimit të miratuar sot nga qeveria për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike (PD) ka paralajmëruar mbledhje në selinë e saj në orën 09:00 të së enjtes. Edhe pse nuk janë dakord me rendin e ditës dhe e quajnë atë shkelje të rregullave procedurale kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendit, demokratët konfirmuan pjesëmarrjen në seancë.
Burime thanë për Top Channel se deputetët e PD do të votojnë pro këtij projektvendimi, i cili vjen me ftesë nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Në njoftimin zyrtar, PD shkruan: «Pavarësisht shkeljes së të gjitha rregullave procedurale kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendit, si një provokim të ulët ndaj opozitës dhe qytetarëve shqiptarë nga njeriu që ngërçin e tij me SHBA dëshiron t’ia imponojë Shqipërisë apo të mashtrojë shqiptarët sikur kjo nuk ekziston, ne DO TË MARRIM PJESË nesër në seancë, si mbështetje ndaj përpjekjeve dhe angazhimit të Presidentit të SHBA për paqen dhe sigurinë globale».
Kërkesa për seancë të përshpejtuar erdhi nga grupi i Partisë Socialiste (PS).