Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka njoftuar se deri në orën 16:40 të datës 21 janar 2026 nuk ka marrë asnjë njoftim nga kryetarja e Kuvendit Lindita Peleshi për zhvillimin e një seance plenare ditën e nesërme, 22 janar 2026.
Sipas njoftimit të PD-së, me vendim të mazhorancës në seancën plenare të datës 19 janar 2026, në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit është përcaktuar që këtë javë nuk do të zhvillohet seancë plenare. Seanca e radhës është planifikuar për datën 27 janar 2026.
PD thekson se, sipas pikës 3 të nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit, mbledhja e seancës plenare dhe rendi i ditës njoftohen deputetëve dhe publikut si rregull 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar.
Në njoftimin e plotë, Grupi Parlamentar i PD-së shkruan: «Të nderuar kolegë! Në përgjigje të interesit të disa prej mediave, për pjesëmarrjen ose jo në një seancë plenare të supozuar për t’u zhvilluar nesër, ju bëjmë me dije se deri në orën 16.40, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka marrë asnjë njoftim nga Kryetari i Kuvendit për mbledhje të seancës plenare gjatë kësaj jave».
Ata shtojnë se «transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve i dikton Kuvendit të Shqipërisë, që për secilën çështje, për secilën vendimmarrje, të respektojë rregullat e parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit».
Seanca e pretenduar synon ratifikimin e vendimit të Qeverisë për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, pas ftesës zyrtare të presidentit amerikan Donald Trump. Qeveria miratoi këtë vendim sot. PD ende nuk ka deklaruar një qëndrim të prerë për pozicionin që do të mbajë në lidhje me këtë çështje.