Debate të gjata kanë shoqëruar mbledhjen e radhës të Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, ku përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës u fokusuan te mënyra se si duhet të zhvillohen dëgjesat me aktorët e përfshirë.
Axhenda e propozuar nga mazhoranca parashikon dëgjesat në terren me të zgjedhur vendorë, këshilltarë bashkiakë dhe specialistë të administratës lokale. Kjo u kundërshtua nga anëtarët e opozitës, të cilët kërkuan zhvillimin e tyre në ambientet e Kuvendit dhe jo në qarqe.
Pas një ndërprerjeje të kërkuar nga opozita, bashkëkryetari Luçiano Boçi dhe anëtarë të opozitës argumentuan se dëgjesat e shpërndara në disa takime nuk ofrojnë zgjidhjen më të mirë për diskutimin e reformës. Sipas tyre, diskutimet duhet të zhvillohen në Kuvend, në një debat të zgjeruar me pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve.
Përfaqësuesit e mazhorancës këmbëngulën se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të dëgjojë drejtpërdrejt punonjësit e nivelit vendor. Arbjan Mazniku theksoi se qëllimi i dëgjesave në terren është rritja e numrit të personave që japin mendim. Ai argumentoi se komisioni duhet të dëgjojë jo vetëm kryetarët e bashkive, por edhe profesionistët që merren çdo ditë me shërbimet për qytetarët, si specialistët e strehimit, pastrimit dhe shërbimeve sociale.
Sipas Maznikut, "Unë kërkoj që të dëgjojmë më shumë njerëz, jo më pak. Ky është takimi i tretë sipas dokumentit të prezantuar dhe nuk mund t’i trajtojmë të gjitha çështjet me të njëjtën vëmendje nëse nuk zgjerojmë rrethin e dëgjimeve."
Përditësime
Nesër pritet që bashkëkryetarët të miratojnë axhendën.