Partia Demokratike ka nisur procesin e rifreskimit të listave të anëtarësisë në prag të zgjedhjeve të brendshme të parashikuara për prill. Mandati katërvjeçar i kryetarit Sali Berisha skadon në pranverë dhe ai duhet të rinovojë mbështetjen nga anëtarësia, së bashku me të gjithë lidershipin e partisë.
Sekretari i përgjithshëm Flamur Noka ka lëshuar një udhëzim që vë në lëvizje degët e Partisë Demokratike për të ngritur grupe pune. Afati për përfundimin e këtij procesi është 20 shkurt. Udhëzimi parashikon verifikimin e anëtarësisë bazuar në të dhënat nga viti 2021, duke përfshirë pjesëmarrjen në proceset zgjedhore nga referendumi i 18 dhjetorit 2021 e deri sot, përjashtuar primaret me simpatizantët.
Përbërja e grupeve të punës
• Anëtarët e Kryesisë së Degës dhe drejtuesit e Grupseksioneve (kur nuk janë pjesë e Kryesisë);
• Deputetët e qarkut;
• Koordinatori i Posaçëm i Kryetarit të Partisë Demokratike.
Grupeve u është ngarkuar identifikimi i anëtarëve aktivë, të cilët do të pajisen me kartën e anëtarësisë, si dhe përjashtimi i atyre që konsiderohen joaktivë ose kanë vepruar kundër interesave të partisë.
Kriteret e përjashtimit
Udhëzimi specifikon se nuk do të konsiderohen anëtarë:
• Ata që kanë punuar kundër interesave të Partisë Demokratike në fushatat zgjedhore, duke u angazhuar pro kundërshtarëve politikë;
• Ata që me qëndrimet publike dhe politike, sipas nenit 24 të Statutit dhe nenit I, III, IV, V dhe X të Kodit të Etikës, kanë vepruar kundër vijës politike të partisë ose kanë bashkuar votat me kundërshtarët në çështje të rëndësishme vendore apo qendrore.
Ky proces synon të përcaktojë bazën e anëtarësisë për zgjedhjet e drejtuesve partiakë.