Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka ndërprerë bashkëpunimin me subjektin politik Aleanca Kosova e Re (AKR). Si pasojë e këtij vendimi, Gani Rrustemi është liruar nga detyra e drejtorit të Drejtorisë për Ekonomi, Zhvillim, Turizëm dhe Integrime Evropiane.
Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i degës së AKR-së në Mitrovicë, Gjergj Beka, i cili deklaroi se partia do të vazhdojë aktivitetin e saj politik në këtë komunë. Nga ana tjetër, kryetari i AKR-së në nivel qendror, Emir Abrashi, ka vlerësuar se ky vendim është ndikuar nga konfliktet personale dhe jo nga interesi i qytetarëve, duke e konsideruar ndërprerjen e bashkëpunimit si një veprim të pajustifikueshëm.
Ky zhvillim politik ndodhi në të njëjtën ditë kur Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli vendimin për padinë e iniciuar nga Behgjet Pacolli kundër Faton Pecit. Gjykata ka aprovuar kërkesën e Pacollit, duke e detyruar Pecin të kompensojë dëmin jomaterial për deklaratat e bëra në nëntor të vitit 2024. Emir Abrashi theksoi se padia është iniciuar nga Pacolli në cilësinë e tij individuale, duke shtuar se ai nuk mban funksione drejtuese apo ekzekutive në AKR që nga gushti i vitit 2025.