Niko Peleshi, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, dhe delegacioni i tij u pritën më 27 shkurt 2026 në Paris nga Yaël Braun-Pivet, presidentja e Asamblesë Kombëtare të Francës, gjatë vizitës zyrtare në Francë.
Takimi konfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe forcimin e diplomacisë parlamentare. Peleshi vlerësoi rolin e saj në forcimin e marrëdhënieve dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në fushat kulturore, arsimore dhe ekonomike, si dhe për rritjen e rolit të parlamenteve në mbështetje të integrimit europian.
Yaël Braun-Pivet dhe deputetët francezë vlerësuan bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë dhe progresin drejt BE-së. Ata shprehën interes për zhvillimet rajonale e ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë, zgjerimin e BE-së, rolin e Shqipërisë në stabilitetin rajonal, forcimin e bashkëpunimit parlamentar e kulturor, si dhe rolin e diasporës shqiptare në Francë.
Peleshi theksoi se anëtarësimi në BE është objektivi strategjik i Shqipërisë, ndërsa reformat, veçanërisht ajo në drejtësi, po ndërtojnë një sistem të pavarur dhe të besueshëm. Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen franceze, kontributin e Braun-Pivet në bashkëpunimin ndërparlamentar dhe miqësinë historike si aleatë në NATO. Gjithashtu, përmendi mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën në mbrojtje të lirisë dhe vlerave demokratike.
Franca rikonfirmoi mbështetjen për integrimin, duke e cilësuar fazën aktuale si sprintin e fundit drejt BE-së dhe duke shprehur mbështetje për përmbylljen e negociatave brenda 2027.
Dy ditë më parë, Peleshi u prit në Senatin e Francës nga Gerard Larcher, i cili rikonfirmoi mbështetjen franceze për bashkëpunimin e gjithanshëm dhe ritmin e shpejtë të progresit të Shqipërisë.
Në vizitë shoqërohet nga Agron Gjekmarkaj, zëvendëskryetar i Kuvendit, dhe anëtarë të tjerë të delegacionit.