Departamenti i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka përcaktuar kalendarin e ndeshjeve të fazës Final 4 të Abissnet Superiores për edicionin 2025-2026. Kjo fazë do të përcaktojë kampionin e vendit dhe skuadrat pjesëmarrëse në kualifikueset e Ligës së Konferencës.
Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin Air Albania në Tiranë, në periudhën 16-31 maj 2026. Katër skuadrat e para në përfundim të fazës së rregullt, që numëron 36 javë, sigurojnë pjesëmarrjen. Pikët e grumbulluara në fazën e rregullt do të përgjysmojnë në këtë fazë, duke marrë për bazë vlerën më të ulët.
Në total do të luhen 6 ndeshje:
• Vendi 1 vs Vendi 4, 16.05.2026 ora 19:00
• Vendi 2 vs Vendi 3, 17.05.2026 ora 19:00
• Vendi 1 vs Vendi 3, 23.05.2026 ora 19:00
• Vendi 2 vs Vendi 4, 24.05.2026 ora 19:00
• Vendi 3 vs Vendi 4, 29.05.2026 ora 19:00
• Vendi 1 vs Vendi 2, 31.05.2026 ora 19:00
Në rast barazimi pikësh midis dy ose më shumë ekipeve, renditja përcaktohet sipas këtyre kritereve:
• Pikët e grumbulluara në ndeshjet direkte gjatë kampionatit dhe fazës Final 4;
• Diferenca e golave (shënuar – pësuar) në ndeshjet direkte gjatë kampionatit dhe fazës Final 4;
• Diferenca e përgjithshme e golave në të gjithë sezonin, duke përfshirë kampionatin dhe Final 4.