Bisedimet e para trepalëshe mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë përfunduan sot në Abu Dabi, thanë burime për Reuters. Përfaqësuesit e Ukrainës dhe Rusisë u takuan me ndërmjetësit amerikanë.
Ashtu si dje, shumë pak detaje janë bërë publike për bisedimet e zhvilluara mes palëve. Ato u fokusuan tek "elementet e pazgjidhura" të kuadrit të paqes të propozuar nga SHBA-ja, sipas një zëdhënësi të qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe. Plani u hartua fillimisht nga SHBA-ja dhe Rusia, e më pas u modifikua nga SHBA-ja dhe Evropa.
Bisedimet përfshinin "angazhim të drejtpërdrejtë" mes zyrtarëve të të dyja vendeve dhe u zhvilluan në një "atmosferë konstruktive dhe pozitive", sipas Sky News. Kjo mund të sugjerojë se përfaqësuesit rusë dhe ukrainas ndodheshin në të njëjtën dhomë, në vend që SHBA-ja të bënte ndërmjetësimin mes tyre, por deklarata nuk është përfundimtare.
Nuk dihet nëse do të ketë bisedime të reja mes palëve në ditët në vazhdim.