Një konflikt fizik midis një grupi prej rreth 15 personash ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në zonën e Kypselit në Athinë. Sipas njoftimit të Policisë Greke, ngjarja është regjistruar rreth orës 21:00, në kryqëzimin e rrugëve Lefkados dhe Evelpidon.
Gjatë përleshjes, motivet e së cilës mbeten ende të paqarta, një 40-vjeçar me origjinë nga India është goditur me mjet të mprehtë në pjesën e barkut dhe në kofshë. I plagosuri është dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore në spitalin “Kryqi i Kuq” me anë të autoambulancës së shërbimit EKAB.
Autoritetet kanë vënë në pranga tre persona të përfshirë në këtë ngjarje: dy shtetas grekë, të moshës 26 dhe 30 vjeç, si dhe një 36-vjeçar me origjinë shqiptare. Ndaj të arrestuarve është ngritur zyrtarisht akuza për veprën penale “lëndim i rrezikshëm trupor i kryer në bashkëpunim”. Hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes janë duke vijuar.