Të paktën 62 persona kanë humbur jetën në Kenia gjatë javës së fundit për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut. Bilanci i mëparshëm ishte 42 viktima një javë më parë. Më shumë se gjysma e viktimave, 33 prej tyre, janë regjistruar në kryeqytetin Nairobi.
Gjatë natës, ekipet e Kryqit të Kuq të Kenias shpëtuan 11 persona të bllokuar në një minibus taksi, të njohur si matatu, në Nairobi, ndërsa dy fëmijë u nxorën nga një shtëpi e përmbytur. Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në zonat e prekura.
Reshjet kanë shkaktuar dalje lumenjsh nga shtrati, përmbytje shtëpish, dëmtime rrugësh, urash, linjash energjie dhe uji. Disa shkolla janë përmbytur dhe rrugë janë mbyllur. Në Nairobi, kanalizimet e dobëta dhe pengesat në lumenj nga ndërtimet e pakontrolluara kanë përkeqësuar situatën.
Ministria e Brendshme ka paralajmëruar vazhdimin e reshjeve të dendura në disa zona dhe ka kërkuar zhvendosjen e banorëve në zona të ulëta. Mbi 2.000 persona kanë braktisur shtëpitë për strehim më të sigurt. Autoritetet po pastrojnë kanalet e bllokuara të drenazhimit.
Presidenti William Ruto ka njoftuar nisjen e shpërndarjes së ndihmave ushqimore dhe mjekësore për familjet e prekura. Ai u ka bërë thirrje banorëve të zonave të rrezikuara të zhvendosen.
Situata në rajon
Përmbytjet kanë prekur edhe Etiopinë fqinje, ku mbi 100 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në pjesën jugore. Ekspertët lidhin këto fenomene me ndryshimet klimatike, të cilat rrisin reshjet ekstreme.