Reshjet e dendura të ditëve të fundit, të shoqëruara me shkarkime nga Heci i Banjës deri në 100 metër kub për sekondë, kanë shkaktuar prurje të mëdha uji në lumenjtë e qarkut Fier.
Prurjet në kuota të larta në lumin Seman kanë përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme bujqësore të kultivuara me kultura të stinës në disa fshatra. Situata është më problematike në fshatrat Petovë dhe Mbrostar të bashkisë Fier, ku uji ka depërtuar edhe në banesa.
Banorët thonë se kjo është hera e tretë radhazi që përmbyten brenda disa muajsh, pas situatave të ngjashme në nëntor dhe janar. Ata fajësojnë shkarkimet e pakontrolluara nga heku për dëmet e parikuperueshme në ekonominë bujqësore.
Sulo Tafa, që jeton prej 25 vitesh në zonë, deklaron se një përmbytje të tillë nuk e kishte parë kurrë. Ai ka shpërngulur familjen për shkak të lagështirës dhe thekson se, pa ndihmën e shtetit, ndodhet në kushtet e mbijetesës.
Dëmet e njëpasnjëshme kanë rënduar më tej gjendjen ekonomike të zonës.