Reshjet e dendura të shiut në orët e fundit kanë krijuar probleme në disa zona të Bashkisë Mirditë. Prurjet e larta të lumit Fan i Vogël kanë gërryer rreth 1 hektar sipërfaqe bujqësore në fshatin Kodër Rrëshen, duke dëmtuar edhe linjën elektrike të zonës.
Bashkia Mirditë, në bashkëpunim me Operatorin e Energjisë Elektrike, ka zhvendosur shtyllat dhe ka rivënë në funksion energjinë elektrike. Megjithatë, rrjedha e lumit vazhdon të kërcënojë rrugën kryesore të fshatit.
Situatë e ngjashme është regjistruar pranë fshatit Tarazh, ku gërryerja nga lumi Zmeja ka nxjerrë mbi tokë tubacionin kryesor të ujësjellësit, duke vënë në rrezik rrugën nacionale Rrëshen–Burrel.
Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi, deklaroi se situata është shqetësuese, pasi një pjesë e tokës bujqësore është kthyer në shtrat lumi. Ai përmendi se projekti për mbrojtjen e këtyre lumenjve është gati prej dy vitesh, me një kosto prej rreth 90 milionë lekë të reja, por mungon financimi nga strukturat qendrore të emergjencave civile. Mëlyshi theksoi se tubacioni i ujësjellësit është i pambrojtur dhe mund të dëmtohet nga reshjet e ardhshme, duke lënë qytetin pa ujë. Gjithashtu, ndërprerja e energjisë elektrike ndodhi dje për shkak të shtyllave të zhvendosura brenda shtratit të lumit.
Përballë kësaj situate, pritet një ndërhyrje emergjente nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit, në bashkëpunim me Bashkinë Mirditë, për devijimin e shtratit të lumenjve Fan i Vogël dhe Zmeja në pikat e gërryerjes.