Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas miratimit të Deklaratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës në lidhje me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Rama e ka cilësuar si jetik unitetin institucional për këtë çështje që prek themelet e shtetit dhe historinë e vendit.
Sipas kryetarit të kryeqytetit, çështjet që ndërlidhen me luftën për liri dhe sakrificën e popullit nuk duhet të jenë objekt i ndasive partiake. "Mbi partitë është shteti. Mbi interesat ditore është e vërteta jonë historike", ka shkruar Rama. Ai nënvizoi se përgjegjësia e përbashkët ndaj historisë duhet të qëndrojë mbi dallimet politike dhe se institucionet duhet të qëndrojnë të bashkuara sa herë preken interesat jetike të lirisë së Kosovës.
Në përfundim të reagimit të tij, Rama vlerësoi se Kuvendi ka dhënë një mesazh të qartë, i cili sipas tij duhet të përcillet fuqishëm edhe përtej Kosovës, duke riafirmuar kërkesën për drejtësi dhe përkrahjen për të vërtetën historike mbi luftën çlirimtare. Ai theksoi se në këtë moment, Kosova foli me një zë të vetëm përballë historisë së saj.