Një përplasje mes Ligjit për pyjet dhe Ligjit për pronën publike ka krijuar ngërç institucional në Kosovë, duke vështirësuar marrjen në shfrytëzim të pronave shtetërore dhe duke vonuar projektet investuese.
Ligji për pyjet, i miratuar më 9 mars 2023, i jep Agjencisë Pyjore të Kosovës kompetencën për të menaxhuar kullotat dhe tokat pyjore shtetërore. Sipas këtij ligji, tokat deri në 20 hektarë jepen me qira me miratim të agjencisë, ato prej 20 deri në 50 hektarësh vendosen nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kurse mbi 50 hektarë kërkojnë vendim të Qeverisë së Kosovës.
Ligji për pronën publike, i miratuar më 26 tetor 2023, parasheh që pëlqimin paraprak për shfrytëzimin e një prone ta japë Zyra për Administrimin e Pronës Publike, organ i krijuar në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Vetëm pasi kjo zyrë të vërtetojë se prona nuk është e nevojshme për asnjë institucion publik, mund të vazhdojnë procedurat e dhënies me qira.
Për shkak të mungesës së harmonizimit ligjor, Agjencia Pyjore e Kosovës ka pezulluar shqyrtimin e kërkesave për shfrytëzim të përkohshëm të tokave publike. Prona shtetërore mund të jepet me qira deri në 15 vjet me vendim të qeverisë ose të kuvendeve komunale, ndërsa për periudhën 99-vjeçare vendos Kuvendi i Kosovës.