Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, Qeveria e Kosovës shpenzoi vetëm 18 për qind të buxhetit të planifikuar për investime kapitale. Albulena Nrecaj nga organizata joqeveritare Iniciativa për Progres (INPO) tha në podkastin “5 Pyetje” të Radios Evropa e Lirë se mosrealizimi i projekteve ndikon në shërbimet publike dhe jetën e përditshme të qytetarëve.
Nrecaj përmendi mungesën e çerdheve publike si një nga pasojat për familjet. Ajo tha se është nënë dhe e dërgon fëmijën në kopsht privat, i cili kushton dhe, sipas saj, nuk ofron kushtet që do të duhej të ofronte një kopsht publik. Pasojat e ngecjes, shtoi ajo, ndihen te qasja në shërbime publike, koha e udhëtimit, mundësitë për punësim dhe shpenzimet familjare. “Qytetari humb shërbimin të cilin shteti duhet t’ia ofrojë”, tha Nrecaj.
Ajo tha se realizimi i vetëm 18 për qind të buxhetit në gjysmën e parë të vitit ishte i pritshëm, pasi kishte pak projekte për të cilat kishin nisur procedurat e zbatimit. Sipas saj, shuma e shpenzuar nuk nënkupton domosdoshmërisht investime të reja, sepse përfshin edhe pagesa për detyrime ligjore në rastet që kanë përfunduar në procedurë përmbarimore.
Ndër shkaqet kryesore të ngecjes, Nrecaj renditi planifikimin e mangët të projekteve, keqmenaxhimin e kontratave me operatorët ekonomikë që kryejnë punimet dhe vështirësitë me shpronësimet. Ajo tha se mbikëqyrja nuk është e mjaftueshme dhe përmendi rastin kur një menaxher kontratash në një institucion duhej të menaxhonte rreth 13 kontrata brenda një viti fiskal.
Sipas Nrecajt, përfaqësuesit politikë premtojnë projekte pa analizuar mjaftueshëm nëse ato janë të realizueshme dhe pa marrë parasysh vështirësitë e planifikimit. Ajo tha se qytetarëve u premtohen spitale, rrugë e shkolla, por pengesat mund të shfaqen kur projekti përfshihet në buxhet.
Shpronësimet mund të bëhen pengesë kur qytetarët mësojnë se projekti do të shtrihet në pronat e tyre vetëm pasi ai është përfshirë në planin buxhetor të shtetit. Sipas Nrecajt, disa pronarë kërkojnë çmimin më të lartë për pronën, ndërsa të tjerë nuk dëshirojnë ta japin atë. Këto vështirësi, tha ajo, zvarrisin projektet dhe vonojnë shërbimet e premtuara.
Vonesat ndikojnë edhe te bizneset, pasi operatorët ekonomikë humbin mundësinë për të realizuar punë dhe për të shfrytëzuar kapacitetet e tyre. Nrecaj tha se shpenzimet përmes prokurimit publik përbëjnë rreth 10 për qind të bruto produktit vendor të Kosovës. Sipas saj, realizimi i investimeve krijon punë për operatorët ekonomikë dhe mundëson qarkullimin e parasë në treg.