Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka pasur përplasje mes deputetëve për planin e punës dhe shqyrtimin e raporteve të auditimit. Debati u tensionua kur Eman Rrahmani, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, kërkoi që javën e ardhshme të diskutohet një raport i auditimit.
Opozita ka insistuar që së pari të ketë një plan pune të detajuar. Rrahmani deklaroi se kjo nuk pengon punën për planin e punës dhe propozoi që një ministri ose ndërmarrje të raportojë bashkë me Zyrën Kombëtare të Auditimit, sipas praktikës së komisionit.
Kryetari i komisionit, Arben Mustafa, u pajtua se raportet e audituara të vitit 2024 nuk duhet të mbeten pa shqyrtuar. Ai theksoi se ngarkesa e punës do të jetë e madhe me raportet e vitit 2025 dhe sugjeroi gjetjen e një mënyre për selektimin e raporteve. Mustafa propozoi që secili deputet të marrë përsipër një raport për shqyrtim ose të përcaktojnë bashkërisht rendin e tyre.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Liza Gashi, kërkoi trajtim të veçantë për disa çështje, sipas burimeve.