Një konflikt për motive xhelozie ka përfunduar në një përleshje të dhunshme në qytetin e Treviglios në Itali. Ngjarja filloi të enjten, rreth orës 22:00, kur një 22-vjeçar shqiptar dhe një 35-vjeçar me origjinë marokene zbritën nga i njëjti tren në stacionin hekurudhor. Sipas hetimeve të prokurorisë dhe dëshmive të mbledhura, palët kishin debatuar që gjatë udhëtimit, ndërsa në stacion u janë bashkuar edhe dy persona të tjerë, miq të shtetasit maroken.
Sipas rindërtimit të karabinierëve bazuar në kamerat e sigurisë dhe dëshmitë e një pronari lokali aty pranë, 35-vjeçari dyshohet se e ka kërcënuar fillimisht shqiptarin në nënkalimin e stacionit me një thikë të madhe kuzhine. Megjithatë, përplasja ka vijuar më pas në një parkim në bulevardin Vittorio Veneto, pranë një xhamie. Sipas autoriteteve, 22-vjeçari shqiptar, i pajisur me dy thika, ka ndjekur dhe goditur 35-vjeçarin në krah dhe në pjesën e mesit të shpinës.
I plagosuri u dërgua me urgjencë në spitalin e Treviglios. Edhe pse gjendja e tij është stabilizuar pas ndërhyrjes mjekësore, ai mbetet i shtruar nën vëzhgim të vazhdueshëm. Policia ka sekuestruar thikën e përdorur në sulm dhe ka arrestuar 22-vjeçarin shqiptar në vendngjarje. Gjatë marrjes në pyetje nga prokurorja Giulia Angeleri, i arrestuari ka pranuar goditjen me thikë, por ka deklaruar se është mbrojtur nga një sulm i mëparshëm ndaj tij.
Hetimet paraprake sugjerojnë se zanafilla e kësaj ngjarjeje është një lidhje sentimentale. I riu shqiptar do të paraqitet të hënën para gjyqtarit të hetimeve paraprake, ku do të zhvillohet seanca për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë.
Përditësime
Hetimet për ngjarjen në stacionin e Treviglios zbuluan detaje të reja mbi dinamikën e konfliktit. Autoritetet konfirmuan se autori, banues në Verona, u përball me 35-vjeçarin maroken sapo të dy zbritën nga i njëjti tren në orën 22:00. Një dëshmitar okular, pronar i një lokali aty pranë, deklaroi për hetuesit se grindja nisi që në momentin e zbritjes nga vagoni. Në vendngjarje, përveç thikës së kuzhinës, policia sekuestroi edhe një thikë palosëse. Gjithashtu, u konstatua se viktima po pritej në stacion nga dy persona të tjerë në momentin kur ndodhi përplasja fizike.