Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, gjatë një inspektimi të zhvilluar sot, njoftoi intensifikimin e punimeve në projektet infrastrukturore të kryeqytetit. Sipas Gjorgjievskit, segmenti i nyjës rrugore “Momin Potok” do të jetë plotësisht funksional deri në festat e fundvitit. Ky investim madhor përfshin ndërtimin e 5 urave të reja, 2 kilometrave mure mbajtëse, si dhe krijimin e shtigjeve për këmbësorë dhe biçiklistë.
Sipas njoftimit zyrtar, një nga urat në këtë segment pritet të betonizohet të martën, duke mundësuar lidhjen me rrethrrotullimin që gjendet 500 metra larg. Gjithashtu, po punohet për shembjen dhe zgjerimin e urës së vjetër në pjesën e Sarajit.
Projekte të tjera në vijim
Në lidhje me bulevardin “Boris Trajkovski” në Draçevë, kryetari i Bashkisë deklaroi se të gjitha çështjet pronësore janë zgjidhur dhe punimet po zhvillohen sipas planit, me objektivin për përfundim brenda Vitit të Ri. Ndërkohë, gjatë muajit gusht pritet të nisë lidhja ndërmjet Gazi Babës dhe Aerodromit përmes bulevardit “Gjeneral Mihajlo Apostolski”, pas përmbushjes së afateve për lirimin e objekteve në atë zonë.
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, njoftoi për masa shtesë që synojnë përmirësimin e shërbimeve komunale, duke paralajmëruar pajisjen e Qytetit të Shkupit me mjete të reja pastrimi, si kamionë dhe cisterna. Lidhur me transportin publik, Mickoski konfirmoi se tenderi për furnizimin me autobusë elektrikë ka përfunduar, ndërsa procesi aktualisht ndodhet në fazën e shqyrtimit të ankesave.