Është përuruar hapësira e re e Tregut të Veturave në Bërnicë të Poshtme, një projekt i realizuar nga Drejtoria e Investimeve Kapitale e Komunës së Prishtinës. Kjo zonë është planifikuar të shërbejë si një hapësirë multifunksionale, duke mundësuar zhvendosjen e tregut të veturave nga zona industriale në drejtim të Fushë-Kosovës.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se hapësira do të ketë gjithsej katër funksione kryesore për të lehtësuar proceset në kryeqytet:
• Zhvendosjen e tregut të makinave.
• Organizimin e përkohshëm të tregut të druve, deri në gjetjen e një lokacioni të përhershëm në zonën e Gollakut.
• Zhvendosjen e poligonit për autoshkolla.
• Shfrytëzimin e hapësirës për sistemin "Park and Ride" gjatë ditëve kur nuk zhvillohet tregu.
Nëpërmjet sistemit "Park and Ride", qytetarët që vijnë nga zonat përreth dhe fshatrat e kësaj ane do të kenë mundësinë të parkojnë automjetet e tyre dhe të vazhdojnë udhëtimin me transportin urban. Kryetari Rama sqaroi se pagesa e parkimit do të transformohet në një kartelë ditore për shfrytëzimin e trafikut urban. Menaxhimin e kësaj hapësire do ta kryejë kompania publike "Gjelbër". Projekti synon të transformojë mobilitein në kryeqytet duke ofruar zgjidhje praktike për qytetarët.