Petro Koçi, ish-deputet i Partisë Socialiste, akuzoi Sali Berishën, kryetar i Partisë Demokratike, se kërkonte viktima në protestën e opozitës të zhvilluar më 10 shkurt para Kryeministrisë dhe Parlamentit.
Duke folur në emisionin "Off the Record" të moderuar nga Andrea Danglli në A2 CNN, Koçi deklaroi se Berishës i nevojitej një ngjarje e rëndë për të sfiduar status quo-në politike.
"Duke parë këtë seri protestash të dhunshme dhe duke analizuar edhe rezultatin zero të tyre nga pikëpamja politike, duket qartazi që ai kërkon një ngjarje të rëndë dhe praktikisht ajo që ka bërë sot e ka demaskuar qëllimin e tij. Ai e dëshiron një viktimë, ai dëshiron të ketë snajpera dhe të ketë një polici apo një gardë si ajo e 21 janarit, që të qëllojë mbi protestuesit, dhe pastaj mbi kufoma të mund të ngrejë një proces", tha Koçi.
Ai krahasoi Berishën dhe PD-në me ngjarje të mëparshme si 14 shtatori, 21 janari, viti 1997, zgjedhjet e 1996-ës, zgjedhjet e përgjakshme të Libovshës dhe protestat gjatë kryetarimit të Lulzim Bashës para Kryeministrisë dhe Parlamentit.
Koçi shtoi se Berisha ndihet i sfiduar brenda PD-së, me kredibilitet në rënie dhe në krizë lidershipi, e lidhur me zgjedhjet e ardhshme brenda partisë. "Fakti që edhe një i dënuar për arsye ordinere si z. Salianji mbledh kaq shumë njerëz në sallat ku shkon, është një sfidë për z. Berishën", përfundoi ai.