Presidenti i Iranit Masoud Pezeshkian ka publikuar një letër të hapur drejtuar popullit amerikan, në të cilën thekson se Irani nuk e ka nisur luftën dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë e rajonit.
Ai kujton se Irani është një nga qytetërimet më të vjetra me prani të vazhdueshme në historinë e njerëzimit dhe se në historinë moderne nuk ka zgjedhur rrugën e agresionit, zgjerimit, kolonializmit apo dominimit mbi vendet e tjera. «Irani nuk ka filluar kurrë një luftë, por i ka zmbrapsur me vendosmëri dhe guxim ata që e kanë sulmuar», shkruan ai.
Pezeshkian shkruan se paraqitja e Iranit si kërcënim nuk përputhet me realitetin historik apo ngjarjet aktuale. Ky perceptim është produkt i interesave politike dhe ekonomike të fuqive të mëdha për të justifikuar presionin, ruajtur dominimin ushtarak, mbështetur industrinë e armëve dhe kontrolluar tregjet strategike.
Mosbesimi iranian ndaj SHBA-së buron nga ndërhyrjet e huaja dhe sanksionet çnjerëzore. Marrëdhëniet fillimisht nuk ishin armiqësore, por u keqësuan me grushtin e shtetit të 1953-s, kur CIA e rrëzoi kryeministrin Mohammad Mossadegh për të penguar nacionalizimin e burimeve të naftës. Mosbesimi u thellua me mbështetjen për regjimin e Reza Shah Pahlavi, ndihmën për Saddam Husseinin, sanksionet e gjera dhe agresionet ushtarake të paprovokuara dy herë gjatë negociatave.
Duke folur për luftën aktuale SHBA-Izrael kundër Iranit, Pezeshkian pyet për interesat e vërteta të veprimit ushtarak amerikan dhe nënvizon koston për iranianët dhe amerikanët. «A ekzistonte një kërcënim real nga Irani për ta justifikuar këtë sjellje?», shkruan ai. Ai akuzon Izraelin se ka shpikur kërcënimin iranian për të larguar vëmendjen nga veprimet kundër palestinezëve dhe pyet nëse «Amerika e Para» është prioritet i qeverisë amerikane.
Pezeshkian i fton amerikanët të shikojnë përtej retorikës dhe të zgjedhin bashkëpunimin në vend të konfrontimit, duke theksuar se Irani ka mbijetuar agresorëve gjatë historisë.