Pas një konflikti të ndodhur në ambientet e përbashkëta të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Fier, tetë efektivë të policisë janë pezulluar nga detyra. Vendimi është marrë me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, pas shqyrtimit nga Komisioni i Disiplinës. Efektivët e pezulluar, të cilët ishin të planifikuar në turn gjatë kohës së ngjarjes, do të marrin gjysmën e pagës deri në përfundimin e hetimeve mbi zbatimin e detyrave të tyre funksionale.
Në përleshje janë përfshirë të burgosurit Denis Bajri (i njohur edhe si Brajovic), Aldo Gjini dhe Jurgen Zoto. Gjatë incidentit është përdorur një thikë artizanale, e ndërtuar nga një shirit metali i mprehur dhe i fiksuar në bisht druri. Sipas dëshmisë paraprake të Denis Bajrit, ai është sulmuar nga Jurgen Zoto me porosi të Ibrahim Licit. Megjithatë, kamerat e sigurisë kanë shfaqur një takim fillestar pa konflikte të dukshme, përpara se ata të zhvendoseshin në një ambient tjetër ku ka nisur përleshja. Bajri ka pohuar se ka mundur t'ia marrë thikën nga dora Zotos.
Si pasojë e ngjarjes, Denis Bajri dhe Jurgen Zoto kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore, ndërsa janë jashtë rrezikut për jetën. Pas masave disiplinore, Aldo Gjini dhe Jurgen Zoto janë dënuar me 3 muaj izolim. Gjini është transferuar në burgun e Drenovës, ndërsa Zoto në burgun e Burrelit. Prokuroria e Fierit po heton dyshimet se ngjarja mund të jetë e porositur dhe të ketë lidhje me përplasjet mes grupeve rivale.
Punonjësit e pezulluar janë:
• K/Inspektor G.B. (Përgjegjës turni)
• Inspektor Sh.H. (Përgjegjës turni)
• Inspektor A.A.
• Inspektor D.GJ.
• Inspektor A.H.
• Inspektor P.K.
• Inspektor S.Ç.
• Inspektor A.S.
Përditësime
Prokuroria e Fierit ka sekuestruar regjistrat e hyrje-daljeve në IEVP Fier për të analizuar dinamikën e takimeve mes të dënuarve. Në dëshminë e tij, Denis Bajri, i akuzuar për vrasjen e Gjin Ndojit, pretendoi se Jurgen Zoto i dha një telefon për të komunikuar me Ibrahim Licin, i cili e ka kërcënuar me vdekje përpara agresionit. Hetuesit kanë identifikuar mjetin e përdorur në përleshje si një thikë e improvizuar, e montuar me shirit metalik dhe bisht druri. Jurgen Zoto, i dënuar për vjedhje me dhunë dhe armëmbajtje, mbetet nën hetim për lidhjet e mundshme të këtij sulmi me grupe kriminale rivale.