Fatmir Haxhiu ka realizuar pikturën 'Tenda e Qypit', e cila portretizon betejën e zhvilluar në majën e Tendës së Qypit, mbi zonën e Skraparit, midis partizanëve të Brigadës së Parë Sulmuese dhe nazistëve, në datat 19-24 janar 1944. Në këtë betejë ranë 17 dëshmorë.
Para betejës, nazistët vranë dhjetra të dyshuar, ndërsa hakmarrja e tyre vazhdoi me masakra të tjera, si ajo e 4 shkurtit në Tiranë.
Piktori u frymëzua nga përleshjet midis partizanëve të Brigadës së Parë Sulmuese dhe gjermanëve. Për të studiuar ngjarjen, ai u referua te figura konkrete që jetonin akoma dhe vizitoi vendngjarjen. Vepra, me dimensione të mëdha dhe figura të shumta në lëvizje, paraqiti vështirësi teknike të reja për autorin.
Në konkursin kombëtar, komisioni e vlerësoi pikturën me çmimin e tretë. Pas ekspozitës së parë, ajo pati jehonë dhe u shfaq për vite të tëra në Pallatin e Pritjes në Durrës.
Sipas autorit, tabloja ka dinamizëm dhe bindje, pasi lidhet me figura reale partizane që luftuan në atë vend. Një element i veçantë është simbolika e partizanit burizan, i cili, i plagosur me plumb në fyt, mbylli plagën me një dorë për të mos rënë gjak dhe me tjetrën vazhdoi të binte borinë, duke nxitur sulmin e shokëve kundër gjermanëve.
Haxhiu, i njohur për trajtimin e veprave historike, përballoi vështirësi për të ruajtur vërtetësinë e ngjarjes, duke synuar njëkohësisht përgjithësimin e betejave trup më trup.