Pirro Vengu, ish-ministri i Mbrojtjes, i dorëzoi detyrën Ermal Nufit, ministrit të ri, i cili u betua dje para Presidentit të Republikës.
Në fjalën e tij, Vengu theksoi rëndësinë e punës me profesionistë të përkushtuar dhe solidaritetin e treguar gjatë krizave dhe emergjencave. Ai vuri në dukje investimet e bëra për forcimin e kapaciteteve të institucioneve dhe të stafit me uniformë, si dhe rindezjen e motorëve të industrisë ushtarake. Vengu përmendi rolin e Shqipërisë si aleat i përgjegjshëm dhe i besueshëm.
“Shpreh mirënjohjen time të thellë për secilin prej jush që keni kontribuar në kohë të vështira dhe që keni marrë mbi vete përgjegjësi të madhe. Puna me njerëzit me uniformë më ka mësuar përulësinë dhe se autoriteti nuk buron nga zëri i lartë, por nga përgjegjësia dhe vetëpërmbajtja”, u shpreh Vengu.
Ai shtoi se sfidat dhe përgatitja për t’u përballur me to janë thelbësore për të garantuar sigurinë e vendit. Vengu nënvizoi se nuk ka dhuratë më të madhe se sa t’i dedikosh jetën një misioni që tejkalon interesin individual.
Vengu kujtoi se në vitin 2024 pati fatin të marrë stafeten nga ish-ministri Niko Peleshi dhe sot e dorëzon tek Ermal Nufi. Ai shprehu besimin se me atdhedashurinë dhe vendosmërinë e tij, ministria dhe institucioni do të vazhdojnë të jenë të fortë dhe të besueshëm. “Institucioni është i fortë, Shqipëria është në duar të sigurta, misioni vazhdon”, deklaroi Vengu.