Një përleshje në një hotel në komunën Dällikon të kantonit të Cyrihut ka lënë të plagosur me thikë një 24-vjeçar nga Kosova. Incidenti u raportua të mërkurën në mbrëmje, pak para orës 18:00, kur një kalimtar njoftoi shërbimet e emergjencës pasi gjeti të riun të plagosur në rrugën Regensdorferstrasse.
Në vendngjarje mbërritën patrulla të policisë lokale, të cilët i ofruan 24-vjeçarit ndihmën e parë mjekësore dhe i vendosën një fashë lidhëse, përpara se shërbimi i ambulancës Limmattal ta transportonte në spital. Sipas raporteve mjekësore, i riu ka pësuar lëndime në krah dhe në pjesën e sipërme të trupit, të cilat përshkruhen si të shkallës së mesme ose jo serioze.
Sipas hetimeve fillestare, plagët dyshohet se janë shkaktuar me thikë gjatë një konflikti fizik që nisi në një dhomë hoteli. Për zbardhjen e rrethanave, Policia Kantonale e Cyrihut u mbështet në operacion nga policia lokale, Policia e Qytetit të Winterthurit dhe Policia Kantonale e Schaffhausen.
Në kuadër të hetimeve janë arrestuar tre persona, të cilët dyshohet se kanë lidhje me krimin:
- Dy shtetas suedezë
- Një shtetas slloven
Personat e arrestuar janë të moshës midis 20 dhe 33 vjeç. Aktualisht, Policia Kantonale e Cyrihut dhe Zyra e Prokurorit të Kantonit të Cyrihut për krime të rënda të dhunshme po vijojnë hetimet për të përcaktuar motivet dhe renditjen e saktë të ngjarjeve, pasi ende nuk janë bërë të qarta shkaqet e konfliktit.