Në fshatin Rrilë të Lezhës, mbrëmja e së dielës, ndodhi një atentat me armë zjarri në berberhanen e Sokol Dacit, 30-vjeçar. Ai mbeti i plagosur dhe u dërgua në Spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje të qëndrueshme për jetën. Sokol Daci, i njohur edhe si berber Coli, nuk ka precedentë penalë.
Dyshohet se bashkë me të u plagos edhe një anëtar i fisit Nikulaj, nip i familjes dhe shënjestra kryesore e sulmit. Ai gjendej brenda berberhanes bashkë me një polic dhe persona të tjerë. Policia po kryen kontrolle në klinika dhe spitale private për të identifikuar plagosurin e dytë.
Sipas të dhënave, autorët ishin tre persona që ardhën me një automjet tip Audi. Njëri prej tyre zbriti dhe qëlloi me breshëri automatiku. Personat brenda berberhanes mendohet se kundërpërgjigjur me armë.
Historia e përplasjeve Nikulaj-Lekstakaj
Ngjarja rikthen në vëmendje përplasjet mes fiseve Nikulaj dhe Palaj (Lekstakaj), me zanafillë në vitin 1996. Atëherë, anëtarë të familjes Palaj ekzekutuan vëllain e Ardian Nikulajt pas një konflikti në një pikë karburanti për 10 mijë lekë të vjetra karburant. Dy punonjësit e karburantit, mes tyre vëllai i Ardian Nikulajt, u vranë pas debatit verbal.
Në vazhdim:
- Pak muaj më vonë u vranë Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja, nip i familjes.
- Në vitin 1999 u vra Gjovalin Lekstakaj dhe u plagos rëndë Pjetër Lekstakaj.
- Në prill 2023, u ekzekutua Ardian Nikulaj në një lokal në Shëngjin.
- Pak muaj më pas, në korrik, u vra Nikolin Lekstakaj.
- Pas gati 7 muajsh nga vrasja e Ardian Nikulajt, u ekzekutua i afërmi i tij Entjan Nikulaj.
Hetuesit po verifikojnë pistat e konflikteve të fundit dhe atyre të hershme. Për vrasjen e Ardian Nikulajt, Prokuroria ka ngritur akuza ndaj autorëve të dyshuar, duke përmendur pagesa të mëdha parash.