Një incident me armë zjarri ka ndodhur gjatë pasdites së sotme në qytetin e Gjakovës. Sipas konfirmimeve zyrtare nga Policia e Kosovës, ngjarja është raportuar rreth orës 16:10 në rrugën “Dëshmorët e Hereqit”.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ka bërë të ditur se pas marrjes së njoftimit, njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer hetimet e nevojshme. Lidhur me rastin, është konfirmuar arrestimi i një personi të dyshuar. Sipas autoriteteve, si viktima ashtu edhe i dyshuari janë meshkuj, shtetas të Republikës së Kosovës dhe të moshës madhore.
I plagosuri është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë. Sipas njoftimit të institucionit shëndetësor, pacienti është pranuar në Shërbimin Emergjent rreth orës 16:25. Pas kryerjes së ekzaminimeve mjekësore, stafi spitalor ka raportuar se gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe ai do të vazhdojë trajtimin e mëtejshëm në këtë spital.