Katër persona të mitur janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Vushtrri, pasi dyshohen për përfshirje në një sërë veprash penale të vjedhjes dhe tentim-vjedhjes. Sipas njoftimit zyrtar, rasti u raportua gjatë orëve të pasdites, kur të dyshuarit kishin vjedhur një shumë parash në një market dhe ishin larguar nga vendi i ngjarjes me dy motoçikleta.
Hetimet e shpejta operative dhe policore mundësuan lokalizimin dhe ndalimin e tyre në dy lokacione të ndara. Dy nga të miturit u ndaluan në fshatin Pestovë, ndërsa dy të tjerët u kapën në fshatin Gracë të Vushtrrisë, në një aksion të koordinuar me njësitë e Stacionit Policor në Obiliq.
Sipas hetimeve, të dyshuarit dyshohet se brenda një periudhe të shkurtër kohore kanë kryer këto veprime:
- Vjedhja e një motoçiklete në Vushtrri.
- Tentim-vjedhje në një market.
- Vjedhja e parave në një market tjetër rreth orës 16:00.
Si prova materiale janë sekuestruar motoçikletat dhe paratë e vjedhura, të cilat pritet t'u kthehen pronarëve legjitimë pas përfundimit të procedurave ligjore. Pas konsultimeve me Prokurorin për të Mitur dhe zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale, duke marrë parasysh moshën e të dyshuarve, të katër të miturit janë liruar në procedurë të rregullt. Policia bëri të ditur se hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të vërtetuar nëse ka pasur persona të tjerë të përfshirë në këto veprimtari të paligjshme.