Pas publikimit të një videoje në rrjetin social TikTok, ku shfaqej një automjet duke lëvizur mbi trotuar në një zonë të frekuentuar në qytetin e Beratit, shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Berat nisën menjëherë verifikimet për identifikimin e drejtuesit. Veprimet hetimore bënë të mundur identifikimin e shtetasit I. L., i cili u shoqërua në komisariat për kryerjen e procedurave të mëtejshme.
Në përfundim të verifikimeve, drejtuesi i automjetit u ndëshkua me një masë administrative prej 60 000 lekësh. Përveç gjobës, si masë plotësuese administrative, autoritetet kanë vendosur heqjen e patentës për shtetasin I. L., ndërsa kanë tërhequr lejen e qarkullimit për shkak se automjeti nuk kishte kaluar kontrollin teknik dhe nuk ishte i pajisur me siguracionin e detyrueshëm.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka falënderuar qytetarët për kontributin e dhënë në evidentimin e kësaj shkeljeje dhe i ka ftuar ata të vazhdojnë të denoncojnë raste të tjera të paligjshmërisë në numrin 112.
Përditësime
Policia Rrugore e Beratit ka vendosur heqjen e patentës për drejtuesin I. L. si masë plotësuese administrative.