Policia Rrugore e Tiranës ka ndërmarrë masa ligjore ndaj tre qytetarëve, të cilët janë filmuar duke bllokuar autostradën Tiranë-Durrës me një kolonë makinash. Procedimi në gjendje të lirë për veprën penale "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit" u shoqërua edhe me sekuestrimin e automjeteve të përfshira në këtë ngjarje, e cila shkaktoi kaos në qarkullim.
Ky rast është pjesë e një bilanci më të gjerë të raportuar nga Policia Rrugore për javën e fundit, ku janë vendosur 13 522 masa administrative. Ndër shkeljet kryesore të evidentuara janë:
• 8 818 masa për ndalim dhe qëndrim të gabuar;
• 1 243 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
• 602 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
• 487 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;
• 66 masa për kalim të gabuar në karrexhatën e ngadalësimit;
• 26 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Krahas këtyre masave, autoritetet kanë ndaluar ose proceduar penalisht 32 shtetas dhe kanë bllokuar 48 mjete. Policia bën të ditur se kontrollet intensive po vijojnë në të gjitha akset urbane dhe interurbane, me vëmendje të shtuar ndaj mjeteve të transportit publik dhe atyre që transportojnë nxënës, për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Gjithashtu, autoritetet kanë theksuar se do të vazhdojnë monitorimin në terren dhe në hapësirën digjitale për të identifikuar raste të tjera të ngjashme me bllokimin e autostradave për qëllime festive. Qytetarët janë ftuar të denoncojnë shkeljet në numrin pa pagesë 112.