Policia Rrugore e Qarkut Elbasan ka ndaluar qarkullimin e çdo mjeti motorik pa zinxhirë ose goma dimërore në disa akse rrugore, si masë sigurie përballë motit të keq. Këto kontrolle u zbatuan më 8 janar 2026, në kushte me reshje të dendura dëbore, stuhi dhe ngrica, që kanë krijuar vështirësi në qarkullim në pjesën më të madhe të territorit të qarkut.
Situata është më e komplikuara në zonat kodrinore dhe malore të Elbasanit, Librazhdit, Prrenjasit dhe Gramshit, ku dëbora ka ndikuar ndjeshëm në kushtet e rrugëve. Kontrollet policore janë përqendruar në akset kryesore:
• Elbasan – Gjinar
• Elbasan – Qafë Thanë
• Elbasan – Fushë Studen
Këto masa u morën për të rritur sigurinë rrugore dhe për të parandaluar aksidentet, duke mbrojtur drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e rrugës nga rreziqet e motit dimëror. Policia thekson se pajisja e duhur është e detyrueshme për të vazhduar qarkullimin në këto zona.