Policia e Hamburgut arrestoi më 7 nëntor 2026 Dariusch “Dari” F., një figurë të lartë të grupit “Hells Angels”, gjatë një operacioni kundër krimit të organizuar të armatosur. Aksioni u zhvillua pas disa muajsh tensionesh dhe përplasjesh me armë zjarri mes grupeve rivale në qytet.
Sipas mediave gjermane, Dariusch F. ndodhej në sediljen e pasme të një automjeti luksoz Mercedes-Maybach, kur policia ndaloi tre automjete luksoze në qendër të Hamburgut, të premten në mbrëmje, gjatë një shkëmbimi të dyshuar parash. Gjatë kontrolleve u gjetën një armë zjarri e mbushur me fishekë dhe 23 mijë euro. Në këtë fazë të operacionit u ndaluan pesë persona.
Dariusch F. përdor karrige me rrota, pasi i mbijetoi një atentati me armë zjarri në vitin 2018, gjatë përplasjeve mes grupeve “Hells Angels” dhe “Mongols”.
Operacioni u shtri edhe në zonën HafenCity, ku u arrestuan dy persona të tjerë, të cilët, sipas raportimeve mediatike, kanë lidhje me “Hells Angels”. Gjatë ndërhyrjes në këtë zonë u sekuestrua edhe një armë tjetër zjarri e mbushur me fishekë.
Ky ishte operacioni i parë i madh i njësisë speciale Soko Kinesis, e krijuar për të luftuar valën e fundit të dhunës me armë zjarri në Hamburg. Mes ngjarjeve që kanë nxitur intensifikimin e veprimeve policore ishte edhe një vrasje e dyfishtë e regjistruar në shtator, në zonën e St. Pauli.