Të hënën, një automjet i Policisë së Kosovës është vërejtur i stacionuar mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë. Kjo lëvizje përkon me fillimin e tranzicionit gradual të pranisë së përhershme të misionit të KFOR-it nga kjo urë.
Sipas njoftimit zyrtar të KFOR-it, ky vendim bëhet në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe synon optimizimin e pozicionimit të forcave të tij. Megjithëse për këtë ndryshim nuk është folur gjerësisht në publik gjatë muajve të fundit, më herët kishin qarkulluar raportime se çështja ishte diskutuar për një periudhë të gjatë kohore.
Në një reagim lidhur me këto zhvillime, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka theksuar se Berlini mbetet i përkushtuar ndaj kontributit të tij në KFOR, të mandatuar nga Bundestagu. Në deklaratën e saj, përfaqësia diplomatike gjermane nënvizoi mbështetjen për misionin e KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë banorët në Kosovë.