Strukturat e Policisë së Lezhës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, Forcën e Posaçme Operacionale dhe Policinë Rrugore, kanë intensifikuar kontrollet ndaj automjeteve luksoze në qytet. Qëllimi i këtij operacioni është evidentimi i mjeteve që dyshohet se mund të jenë përfituar nga veprimtaritë kriminale, si dhe parandalimi i trafikimit të tyre dhe pastrimit të produkteve të krimit.
Në kuadër të këtyre kontrolleve, shërbimet policore ndaluan një mjet luksoz të tipit Rolls-Royce. Pas verifikimeve të hollësishme mbi origjinën, historikun e blerjes, shitjes, posedimit dhe burimin e të ardhurave të përdorura për blerjen e mjetit, u konstatua mungesë e plotë e dokumentacionit zyrtar. Për këtë arsye, automjeti u bllokua administrativisht.
Ndaj pronarit të mjetit, shtetasit me iniciale F. M., me banim në Mbretërinë e Bashkuar, strukturat përkatëse kanë nisur një hetim pasuror. Policia e Lezhës bëri me dije se këto kontrolle do të vijojnë edhe në ditët në vijim, me fokus identifikimin e pasurive të tjera që mund të kenë burim kriminal.
Përditësime
Hetimet për mjetin e sekuestruar kanë avancuar me zbulimin e detajeve mbi pronësinë dhe vlerën financiare. Mjeti luksoz Rolls-Royce, vlera e të cilit llogaritet në 200 mijë paund, drejtohej nga një shtetas tjetër në momentin e ndalimit dhe jo nga pronari i tij. Prokuroria ka marrë tashmë në shqyrtim materialet përkatëse për të kryer verifikimet e nevojshme financiare si ndaj drejtuesit të mjetit, ashtu edhe ndaj pronarit, shtetasit F. M.