Autoritetet në Gjermani kanë nisur një hetim pas zbulimit të disa pajisjeve shpërthyese në një nënstacion energjetik në Turnow-Preilack, në Brandenburg, pranë termocentralit me qymyr Jänschwalde. Pajisjet u gjetën në një strukturë kyçe, e cila shërben si qendër e rëndësishme për rrjetin elektrik të zonës së Lausitz.
Sipas informacioneve të bëra të ditura nga policia dhe operatori i rrjetit 50Hertz, dëmtimet e shkaktuara në disa linja të transmetimit shkaktuan një ndërprerje të shkurtër të furnizimit me energji elektrike. Operatori theksoi se të gjitha linjat janë rikthyer në funksion dhe furnizimi për publikun nuk është cenuar. Në vendngjarje kanë ndërhyrë ekspertët për çaktivizimin e mjeteve shpërthyese, ndërsa policia siguroi se nuk ka pasur rrezik për qytetarët.
Sipas raporteve mediatike, mes pajisjeve të gjetura ishin edhe mjete të ndërtuara për të qëlluar me raketa të mbushura me eksploziv. Hetuesit dyshojnë se qëllimi i autorëve të paidentifikuar ka qenë shkaktimi i një ndërprerjeje të gjerë të energjisë elektrike në zonën përreth, megjithatë ky synim nuk u realizua. Aktualisht, nuk ka të dhëna të konfirmuara mbi autorët ose motivet e këtij veprimi, ndërsa mbetet e paqartë nëse ngjarja ka ndonjë lidhje me incidente të tjera të raportuara së fundmi në aeroportin e Leipzig-ut.