Një fenomen i rrallë dhe i pazakontë është regjistruar gjatë një stuhie në Gjermani, ku një pemë ka marrë flakë pasi është rrëzuar mbi një linjë të tensionit të lartë. Ngjarja është bërë virale pas publikimit të pamjeve filmike, të cilat tregojnë momentin kur trungu i pemës përfshihet nga zjarri në kontakt me energjinë elektrike.
Sipas pamjeve të publikuara, flakët kanë krijuar një efekt vizual ritmik, duke u ndezur e shuar në përputhje me valët e tensionit që kalonin nëpër linjën e dëmtuar. Kjo situatë ka shkaktuar rrezik të shtuar në zonë për shkak të intensitetit të energjisë elektrike që kalonte nëpër pemën e djegur, çka ka kërkuar kujdes të veçantë gjatë menaxhimit të situatës.
Autoritetet përkatëse kanë ndërhyrë menjëherë pas raportimit të incidentit për të siguruar perimetrin dhe për të shmangur çdo rrezik për banorët apo kalimtarët. Deri në këto momente, nuk ka njoftime për persona të lënduar nga ky incident, ndërsa ekipet e specializuara janë angazhuar për të trajtuar pasojat dhe për të riparuar dëmtimet e shkaktuara në infrastrukturën elektrike për shkak të motit të keq.