Stuhia goditi pjesë të Gjermanisë të premten, duke shkaktuar dëme materiale, rrëzimin e pemëve dhe ndërprerje të trafikut hekurudhor. Disa persona u lënduan, dy prej tyre rëndë. Ngjarjet më serioze u regjistruan në perëndim dhe jugperëndim të vendit, ku erërat rrëzuan pemë, degë dhe struktura të ndryshme. Ekipet e zjarrfikësve dhe policisë u angazhuan për largimin e pengesave dhe përballimin e pasojave të stuhisë.
Në Nastätten, në perëndim të Frankfurtit, dy persona u lënduan rëndë të premten pasdite, pasi erërat rrëzuan një konstruksion pranë një tregu. Njëri u transportua me helikopter në spital dhe, sipas policisë, ndodhet në gjendje kritike. Në Seligenstadt, në juglindje të Frankfurtit, një degë peme ra mbi një çiklist, i cili u nxor nga poshtë saj nga ekipet e shpëtimit. Në Lebach, një këmbësor pësoi lëndime të lehta pasi u godit nga një tabelë reklamuese.
Stuhia shkaktoi probleme edhe në transportin hekurudhor. Në stacionin kryesor të trenave në Karlsruhe u raportuan shkëndija pasi një objekt goditi linjat elektrike ajrore. Pranë Aachenit, një tren me 280 pasagjerë u tërhoq nga një lokomotivë me naftë për shkak të dëmtimit të linjave elektrike. Pemët e rrëzuara bllokuan binarët në disa zona, përfshirë pranë Neussit dhe në Stuttgart, duke vështirësuar qarkullimin e trenave.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Gjerman, stuhia pritet të zhvendoset drejt Danimarkës dhe Detit Baltik. Parashikimet paralajmërojnë gjithashtu për një tjetër stuhi gjatë natës, e cila mund të sjellë reshje të dendura shiu në disa pjesë të vendit.